Zgjidhjet kundër zbokthit shërbejnë për ta kontrolluar atë, por është e nevojshme që të keni durim. Fatkeqësisht nuk ka diçka që tju japë efekt brënda natës.
Në përgjithësi, për përkujdesjen ndaj zbokthit, pastrimi ditor me një shampo të butë kërkohet për të reduktuar yndyrën dhe akumulimin e qelizave te lëkurës.
Mëso më tepër mbi shkaqet e shfaqjes së zbokthit
Por shampot që përdoren kundër zbokthit nuk janë të gjitha njësoj dhe mund t’ju duhet të provoni më shumë se një derisa ta gjeni atë që i përshtatet më së miri nevojave tuaja.
Llojet e shampove
Shampot kundër zbokthit ndryshojnë në bazë të principit aktiv që përmbajnë:
- Katran (Tar): shampot me bazë katranin e qymyrit ndihmojnë në ngadalësimin e përkeqësimit dhe shkëputjes së qelizave të kokës të shkaktuara nga zbokthi, dermatiti seborrheik dhe psoriasis.
- Zink piritione: zink piritione është një antibakterial dhe antifungal, i cili mund të ndihmojë në uljen e pranisë së kërpudhave në lëkurën e kokës, për shkak të zbokthit dhe dermatitit seborrheik.
- Selenium sulfide: këto shampo ngadalësojnë përkeqësimin e qelizave dhe kontribuojnë në reduktimin e Malassezia furfur. Por kini kujdes sepse ato zbardhin flokët e bardha ose gri ose flokët e lyer, kështu që është e nevojshme t’i përdorni ato duke ndjekur udhëzimet e mjekut tuaj ose duke lexuar fletushkën me kujdes dhe mbi të gjitha shpëlani flokët tërësisht pas shampos.
- Acidi salicilik: shampot që përmbajnë acid salicilik ndihmojnë në eliminimin e qelizave të vdekura duke vepruar si scrub, edhe nëse ato kontribuojnë për të bërë lëkurën e kokës më të thatë; në të vërtetë është e këshillueshme që të përdorni një balsam pas shampos.
- Ketokonazoli: Ketokonazoli është një antimykotik me spekter të gjerë që mund të përdoret kur nuk janë marrë rezultate të kënaqshme me përdorimin e shampove të tjera.
Përdorimi i saktë i shampos
Fillimisht do të jetë e nevojshme të përdorni një shampo të listuar më sipër duke e përdorur atë shpesh (ose çdo ditë ose çdo 2 dite), nëse vini re një përmirësim ju mund ta zvogëloni përdorimin në dy ose tri herë në javë.
Gjithashtu mund të ndodhë që fillimisht një shampo është efektive, por më pas efekti i saj zvogëlohet, prandaj është e këshillueshme që të shoqërohet me një shampo tjetër kundër zbokthit.
Për të pasur një efektivitet më të madh është e nevojshme të masazhoni mire skalpin e kokes kur bëni larjen me shampo dhe ta lini të veprojë për të paktën 5 minuta para se ta shplani.
Zgjidhjet natyrale kundër zbokthit
Por le të shohim edhe zgjidhjet natyrale kundër zbokthit:
- Vaji i pemës së çajit (Tea tree oil): ajo është përdorur për shekuj si një antiseptik, antibiotik dhe antifungal. Është e mundur të gjesh shampo të bazuara në vajin e pemës së çajit. Duhet të keni kujdes kur përdorni vaj esencial sepse është shumë i koncentruar dhe mund të shkaktojë alergji, por mbi të gjitha nuk rekomandohet për përdorim në rast të plagëve ose lezioneve në lëkurë.
- Uthulla e bardhë: ka veti pastruese natyrale dhe mund të përdoret për të pastruar kokën dhe lëkurën e fytyrës. Një solucion i holluar (një pjesë uthull të bardhë me tre ose katër pjesë të ujit) mund të përdoret një herë në ditë ose 2-3 herë në javë për të pastruar skalpin e kokës.
- Hithra: ju mund të përdorni një infuzion të hithrës në skalpin e kokës dhe e lini të veprojë para se ta shplani.
- Vaji i ullirit dhe lëngu i limonit: mjafton të përgatitni një përzierje prej 16gr vaj ulliri dhe 16gr lëng limoni, e aplikoni në skalpin e kokës dhe lëreni të veprojë për rreth gjysëm ore. Vaji i ullirit kontribuon në hidratimin e lëkurës së thatë ndërsa lëngu i limonit eleminon skuamat.
Parandalimi i zbokthit
Për reduktimin e zbokthit përveç trajtimit është i rëndësishëm dhe eleminimi i faktorëve që e nxisin atë.
- Mësoni të menaxhoni stresin.
- Nëse keni lëkurë të yndyrshme, lajeni shpesh me shampo (madje edhe çdo ditë).
- Reduktoni ose eleminoni përdorimin e produkteve për flokë (llak, xhel, dyll etj.).
- Merrni sasi të mjaftueshme të Zinkut dhe Vitaminave B me anë të dietës.
- Merrni rreze dielli dhe mos harroni të vini krem mbrojtes ne fytyre dhe trupin tuaj.